Futbollisti i Çelsit, Lukas Piazon, ka çuditur të gjithë duke sulmuar ashpër shokët e tij të skuadrës, për t’i akuzuar ato për “mungesë impenjimi” pas humbjes 1-0 ndaj Korinthians në finalen e Botërorit të Klubeve. Sulmuesi 18 vjeçar mendon se vetëm bashkëkombësit e tij që luajnë për Çelsin, treguan pak dëshirë për të fituar këtë turne.
“Ne na mungonte dëshira që të shpalleshim kampionë”, tha ai për faqen e internetit braziliane “UOL Esporte”. “Mendoj se vetëm David Luiz dhe Ramires, dy brazilianët, treguan dëshirën për të fituar. Kjo është arsyeja pse ata janë aq të mërzitur pas kësaj humbje”, tha lojtari që qëndroi në stolin e rezervave gjatë sfidës.
“Skuadra hyri në fushë pa dëshirë. Kjo është e papranueshme. Unë vura re se David ishte i mërzitur, me të drejtë, pasi ishte një nga të paktët që tregoi diçka në këtë ndeshje”, ishte deklarata e Pizon, e cila nuk është se do të kënaqë Benitez dhe do t’i japë më tepër shanse adoleshentit për të luajtur me ekipin e parë.
Por edhe një nga lojtarët më me eksperiencë të bluve, Frenk Lampard, ka pranuar se skuadra nuk dha maksimumin e vet në këtë sfidë.
“Jemi të zhgënjyer. Ishte një turne që kishte vlerë. Kishte shumë tifozë në finale dhe për më tepër tifozë të Çelsit që na kanë ndjekur deri këtu. Kur pëson gol përballë skuadrave braziliane e ke të vështirë, pasi ata kthehen në mbrojtje dhe të kundërsulmojnë. Ishte shumë e vështirë të krijoje raste ndaj tyre, por e dimë që ne nuk luajtëm në maksimumin tonë”, tha mesfushori anglez. (LajmeShqip.com)
Monday, 17 December 2012 10:37