Florentino Perez ka vlerësuar maksimalisht Zhoze Murinjon, duke e cilësuar atë trajnerin më të mirë në botë. Në Asamblenë e Përgjithshme të aksionerëve të klubit, presidenti i klubit ndër të tjera ka folur me superlativa për teknikun portugez.
“Kemi trajnerin më të mirë në botë që drejton një skuadër me shumë cilësi. Jemi shumë krenarë që Zhoze Murinjo është me ne deri në vitin 2016. Ai na transmeton energji, njohje dhe shpirtin e tij madridist”, ka thënë presidenti i Realit.
“Ky klub nuk dorëzohet kurrë dhe falë këtij shpirti kemi fituar atë që për shumë njerëz është vlerësuar si kampionati më i fortë në botë. Objektivi i këtij vitit është të fitojmë çdo trofe të mundshëm në dispozicion. Vijmë nga fitoja e një titulli me rekord pikësh e golash, me lojë si i ka hije këtij klubi. Tani kemi trajnerin më të mirë në botë, me një skuadër që është përforcuar me Modriç, i cili dëshironte të luante vetëm për ngjyrat tona, si dhe Esien, një mjeshtër i lojës fizike që trajneri jonë njeh mirë”.
“Kemi kaluar nga një skuadër që nuk ishte mes më të mirave në Ligën e Kampioneve, në ekipin pretendent për të fituar trofeun. Vitin e kaluar nuk shkuam në finale vetëm falë penalltive, këtë vit duam të shkojmë deri në fund për të siguruar këtë trofe që na bën legjenda”, tha Perez në fjalimin e tij.
në fund, presidenti i Realit foli edhe për Rikardo Kaka, duke përkëdhelur lojtarin, por edhe duke e thumbuar disi atë.
“Kaka na ka bërë të fitojmë shumë para në klub. Ai erdhi tre vite më parë si një aset që na solli shumë të ardhura. Ndryshuam shumë kontrata dhe fituam shumë para falë imazhit të tij. Ai është një aktiv por që për momentin është i amortizuar. Nuk kemi pasur ndër mend ta shitnim. Është një lojtar që nga pikëpamja ekonomike na ka shërbyer shumë”, ishte deklarata e Perez, i cili ka bërë të qartë se nuk shqetësohet për formën e lojtarit, për sa kohë që ai siguron të ardhura me imazhin e tij. (LajmeShqip.com)
Sunday, 30 September 2012 18:07