Pep Guardiola ka pranuar para gazetarëve se pengu i tij më i madh për periudhën kur ka drejtuar Barcelonën, është se nuk arriti që të dërgonte këtë skuadër në finalen e Ligës së Kampioneve në këtë edicion.
Tekniku katalanas do t’i japë sot lamtumirën ekipin në finalen e Kupës së Mbretit, e ndonëse ai ka fituar shumë trofe gjatë katër viteve në këtë klub, është i ndërgjegjshëm që mosarritja në finalen e Mynihut do të cilësohet gjithmonë një dështim.
“Pengu im i vetëm është se nuk arritëm të shkonim në Mynih këtë vit, ndjej ende keqardhje për këtë gjë. Por njëkohësisht dua të përgëzoj Çelsin për suksesin. Unë mendoje ata kanë një brez lojtarësh që e meritonte këtë trofe”, tha tekniku katalanas.
Më pas, ai ka folur për zëvendësuesin e tij në stolin katalanas që në sezonin e ardhshëm, Tito Vilanovën, duke hedhur poshtë të gjitha zërat që janë përhapur sikur ai ishte kundër këtij vendimi.
“Kur drejtuesit e klubit më pyetën rreth tij, u thashë se ishte një ide e mirë dhe ai ka gjithçka që unë do të dëshiroja te një trajner i Barcelonës. Njihem me të që në moshën 13 vjeçare dhe ju siguroj se këto 5 vitet e fundit më ka ndihmuar shumë që të bëhem një trajner më i mirë”.
“Tito do të bëjë mirë, nuk do të jetë e nevojshme që të kthehem pas 6 muajsh”, ishte batuta e Guardiolës. (LajmeShqip.com)
Friday, 25 May 2012 12:57