Manuel Pelegrini ka hedhur poshtë spekulimet e ditëve të fundit se ai ka pranuar ofertën e Mançester Sitit për t’u bërë trajneri i ri i kësaj skuadre. Tekniku i Malagas mendohej se ka folur me drejtuesit e klubit anglez, për të zënë vendin e Roberto Mançinit në stolin e këtij ekipi.
“E mohoj kategorikisht që unë jam trajneri i ri i Mançester Sitit. Asgjë nuk është firmosur dhe asnjë marrëveshje nuk është arritur. Unë kam qenë shumë me fat dhe shumë krenar që çdo vit ndaj meje ka interesim të klubeve të mëdha”.
“Por unë kam një marrëveshje me Malaga që të mos flas me askënd dhe nuk kam firmosur asgjë me asnjë klub tjetër. Shpresoj që e ardhmja e këtij klubi të bëhet disi më e qartë në ditët e ardhshme”, deklaroi trajneri kilian.
Megjithatë, edhe gjatë ditës së sotme kanë vazhduar spekulimet për të ardhmen e tij te Mançester Siti, pasi largimi i Mançinit bëhet gjithnjë e më i sigurt. Trajneri italian mendohet se do të largohet sapo klubi t’i paguajë atij dëmshpërblim për prishjen para kohe të marrëveshjes me ta, ndërsa pritet që të marrë drejtimin e Monakos në Francë. (LajmeShqip.com)
Monday, 13 May 2013 18:50