Pato është shumë pranë kthimit në Brazil, në radhët e Korinthians. Mediat vendase kanë bërë të ditur se vetëm pak mungon për të zyrtarizuar kalimin e sulmuesit në radhët e skuadrës që fitoi Botërorin për klube dy javë më parë.
Shifra e shitjes së tij nga Milani është rreth 15 milion euro dhe me sa bëhet fjalë, po diskutohet vetëm modaliteti i pagesës së kësaj shume si dhe kontrata personale me lojtarin.
“Jemi shumë optimistë. Duhet të bëjmë kujdes dhe të mos zhgënjejmë tifozët por ka qenë një dialog pozitiv mes palëve dhe kemi besim se mund ta mbyllim këtë marrëveshje”, ishin fjalët e Monteiro Alves, një prej drejtuesve të kësaj skuadre.
“Takimi i parë ishte pozitiv. Pato do të luajë të Korinthians, Milani dëshiron të shesë Paton dhe ne duam ta blejmë. Mbeten vetëm disa detaje burokratike, si mënyra e pagesës dhe kohëzgjatja e kontratës. Do të flas përsëri me drejtuesit më të lartë të klubit dhe në ditët e para të vitit të ri do të kemi një takim tjetër me drejtuesit e Milanit. Në javën e parë të janarit shpresoj t’i jap një lajm të bukur tifozëve”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 December 2012 16:22