Ish-trajneri i kombëtares braziliane të futbollit, Karlos Alberto Parreira, ka deklaruar se gjithçka tjetër përveç fitores së Kupës së Botës në vitin 2014 do të cilësohej dështim për vendin organizator.
“Trysnia do të jetë e jashtëzakonshme dhe skuadra duhet të jetë perfekte si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Por është e paimagjinueshme dhe e pamendueshme që Brazili të mos fitojë Kupën e Botës në një aktivitet që e organizon në vendin e vet”, tha Parreira për “SporTV”.
Parrieira drejtoi kombëtaren drejt trofeut në Kupën e Botës të vitit 1994, ndërsa e drejtoi atë edhe në vitin 2006, kur kjo përfaqësuese u eliminua në çerekfinale, ndonëse ishte e mbushur me yje.
Sipas tij, një nga shpresat më të mëdha është që skuadra të ketë në gjendjen më të mirë Ronaldinjon, një futbollist i cili mund të sigurojë fantazinë që i mungon aktualisht skuadrës së drejtua nga Mano Menezes.
“Ronaldinjo nuk ka harruar si luhet, por ai luan kur ai dëshiron ta bëjë një gjë të tillë. Nëse rigjen motivimin dhe pasionin, ndoshta ai do të jetë lojtari që i kthen kombëtares braziliane një eksperiencë dhe cilësi që për momentin i mungon”. (LajmeShqip.com)
Monday, 02 April 2012 20:32