Shtypi francez ka konfirmuar se Devid Bekam nga janari i vitit 2012 do të jetë një futbollist i skuadrës së Paris Sent Zhërmen. Ndonëse nuk ka ende një lajmërim zyrtar si nga ana e klubit, ashtu edhe nga ana e vetë futbollistit anglez, mediat franceze kanë publikuar gjatë ditës së mërkurë detaje të marrëveshjes që lojtari pritet të nënshkruajë me skuadrën e kryeqytetit francez. Bëhet fjalë për një kontratë e cila do të zgjasë një vit e gjysmë, deri në përfundimin e sezonit 2012-2013, që do t’i garantojë mesfushorit 800 mijë euro në muaj.
“Le Parisien” dhe “L’Equipe” kanë konfirmuar se me përjashtim të ndonjë të papriture, lojtari do t’i bashkohet shokëve të skuadrës së tij të re në fazën përgatitore që ajo do të zhvillojë në Katar gjatë muajit janar. Ndërkohë, mediat franceze i kanë kushtuar një rëndësi shumë të veçantë edhe ceremonisë së prezantimit të lojtarit. Ata kanë bërë të ditur se klubi i Paris Sent Zhërmen po mendon që ta paraqesë atë përballë tifozerisë me një spektakël të denjë për një yll të muzikës, në ambientet e një prej hoteleve më të njohur të kryeqytetit francez.
Thursday, 22 December 2011 13:52