Goditjet e rënda që ka marrë Mani Pakuiao në ndeshjen përballë Huan Manuel Markez që u zhvillua me 8 dhjetor, duket se kanë lënë pasoja në shëndetin e boksierit të njohur filipinas.
Mjeku Rustiko Himenez, president i Shoqatës së Spitaleve Private të Filipineve, ka shprehur hapur shqetësimin e tij, pasi ka parë disa simptoma të sëmundjes së Parkinson te boksieri i famshëm dhe i ka kërkuar këtij të fundit të largohet menjëherë nga aktiviteti.
“Nëse do të kërkohej opinioni im, do të thosha se ka ardhur momenti të largohet nga boksi. Edhe pse sot ka ende reflekse shumë të shpejta, ka vënë re, gjithmonë sipas mendimit tim, disa simptoma të parakohshme të Parkinsonit. Nuk them që është 100% e sigurt, por e shoh që ka disa simptoma paraprake”, tha ai duke iu referuar të njëjtave shenja që kishte shfaqur Muhamed Ali, boksieri më i famshëm i të gjitha kohërave që vuan pikërisht nga kjo sëmundje.
“Mund të shihen simptomat në lëvizjet në duar, pasi është kjo pjesë e trupit ku sëmundja dallohet fillimisht, jo në kokë”, tha ai.
Pas këtyre deklaratave, Komisioni Atletik i shtetit të Nevadas në SHBA, ku Pakuiao bokson zakonisht, në qytetin e LAs Vegas, bëri të ditur se ka vendosur masën parandaluese të 120 ditëve pushim para se të lejojë përsëri boksierin filipinas të ndeshet. Promotori Bob Arum bëri të qartë se para se të fillojë negociatat për ndeshjen e radhës të filipinasit, do ta dërgojë atë të bëjë një kontroll të hollësishëm në një klinikë të specializuar për testet cerebrale. (LajmeShqip.com)
Friday, 04 January 2013 17:01