Trajneri i DC Junajtid, Ben Olsen, është i bindur se Hamdi Salihi po kthehet në formën më të mirë dhe këtë e ka ndihmuar fakti se ka shënuar dy gola në javën e fundit, ndonëse ka luajtur vetëm 50 minuta si zëvendësues në formacionin e skuadrës së tij.
“Tani po fillojmë të shohim Salihin e vërtetë”, tha Olsen. “Ai nuk ka nevojë për shumë raste që të shënojë gola. Sulmuesit “funksionojnë” nëpërmjet serive. Ata janë njerëz, kanë edhe ata probleme vetëbesimi”.
“Tani ai dëshiron më shumë. Ai dëshiron të luajë më shumë dhe unë nuk i vë faj”, ka treguar trajneri i DC Junajtid, duke pranuar se tashmë kishte në duar një “problem” të mirëfilltë.
Salihi është futbollisti më i paguar i DC Junajtid por gjatë javëve të fundit përfundoi në stolin e rezervave pasi nuk arrinte të gjente rrugën e rrjetës. Por fakti se ai është kthyer protagonist me dy gola në dy ndeshjet e fundit ka bërë që me të drejtë sulmuesi shqiptar të kërkojë më shumë hapësira në formacion.
Megjithatë, Salihi ka një rivalitet mjaft të lartë në repartin e avancuar të DC Junajtid, pasi sulmuesit e tjerë DeLeon (3 gola), Santos (6 gola) dhe Pontius (5 gola), kanë shfaqur një formë mjaft të mirë dhe për momentin janë para tij në hierarkinë e skuadrës amerikane. (LajmeShqip.com)
Saturday, 12 May 2012 13:17