Hamdi Salihi nuk e ka filluar në mënyrën më të mirë karrierën e tij në kampionatin amerikan të futbollit MLS, pasi deri tani nuk ka gjetur ende rrugë e rrjetës, ndonëse ka luajtur në 3 nga katër sfidat e zhvilluara deri tani nga ekipi i tij.
Por trajneri Ben Olsen është i qetë pasi i njeh cilësitë e sulmuesit shqiptar, ndërsa vlerëson punën që ai ka bërë për skuadrën gjatë ndeshjeve ku ka zbritur në fushën e lojës.
“Puna e tij ka qenë e shkëlqyer, ai po punon shumë në lojën pa top. Shpesh në nuk e vlerësojmë atë për punën që bën, por ai po bëhet më i mirë në çdo ndeshje që kalon dhe kjo është ajo që ne i kemi kërkuar”.
Salihi ka patur rastet e tij në të gjitha ndeshjet, por herë mbrojtësit kundërshtarë e herë pritjet spektakolare të portierëve kanë bërë që ai të mbetet ende pa shënuar golin e parë zyrtar me fanellën e kësaj skuadre.
“Ai ka patur dy-tre mundësi të shënojë por topi nuk ka përfunduar në rrjetë. Ndaj ai nuk e ka shkruar emrin te lista e shënuesve ende, por golat do të vijnë nëse vazhdon të luajë në të njëjtën mënyrë”.
“Ai është përshtatur mirë, pasi nuk ka patur probleme me shpejtësinë e lojës këtu. Duhet gjithmonë pak kohë për t’u përshtatur plotësisht, por ai do të vazhdojë të rritet në këtë aspekt dhe do të jetë shumë më mirë me kalimin e kohës”, ishin fjalët e trajnerit të DC Junajtid që ka mbështetur sulmuesin shqiptar në këtë moment delikat. (LajmeShqip.com)
Friday, 06 April 2012 14:04