Lojërat Olimpike kanë filluar me një incident diplomatik që në ditën e para të aktiviteti ku u luajt vetëm futbolli për femra. Shkak është bërë një flamur i vendosur gabim në ekranin e madh të stadiumit të Glasgou gjatë ndeshjes Kolumbi-Kore e Veriut.
Futbollistet koreano-veriore kanë refuzuar të zbresin në fushën e lojës pasi gjatë nxemjes kanë parë në ekranin e madh elektronik të stadiumit se përkrah emrave të tyre shfaqej flamuri i Koresë së Jugut dhe jo ai i Koresë së Veriut. Ndeshja u shty për rreth një orë, koha që iu desh kompjuteristëve të organizatorëve të aktivitetit për të rregulluar edhe një herë të dhënat dhe për të shfaqur flamurin e Koresë së Veriut, ashtu siç duhej.
Megjithatë, ky incident duket se ka motivuar më shumë skuadrën aziatike, e cila fitoi me rezultatin 2-0 duke i bërë një fillim të mbarë aktivitetit.
Në ndeshjet e tjera të zhvilluara dje, të gjitha për futbollin e femrave, Brazili fitoi lehtësisht 5-0 përballë Kamerunit. Në këtë ndeshje, sulmuesja Kristiane u bë golashënuesja më e mirë e të gjitha kohërave në Olimpiadë duke shënuar golin e 11-të personal në këtë aktivitet.
Sot fillojnë ndeshjet e futbollit për meshkuj, ku të gjithë presin më vëmendje debutimin e Brazilit të yjeve, favorit kryesor për suksesin në këtë edicion. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 July 2012 08:01