Oktapodi Iker, këtë herë në finalen e Copa Del Rey, ka bërë sërish parashikimin për duelin Real Madrid vs Barcelona.
Ai mori ushqimin me logon e Real Madridit. I njëjti oktapod kishte parashikuar barazimin në “El Clasicon” e së shtunës, duke parashikuar me saktësi rezultatin.
Pas parashikimeve të pagabueshme të Oktapodit Paul, që në Afrikën e Jugut shoqëroi Iberikët me titullin e botës, ata janë afeksionuar me këtë lloj parashikimi, aq sa kanë gjetur një tjetër oktapod, këtë herë për të parë se çfarë do të ndodhë për El Classicon Real-Barça, që veç mbrëmjes së sotme, do të luhet edhe dy herë të tjera më 27 prill dhe 3 maj.
Megjithatë, Barcelona dhe Real Madrid do të luajnë sonte në orën 21.30 në finalen e Copa Del Rey, në stadiumin e Valencias te quajtuar “Mestalla”.
Dy ekipet vijnë nga barazimi 1-1 i së shtunës në ligën spanjolle, rezultat i cili la të kënaqur si lojtarët e Guardiolës që ruajtën diferencën +8 në krye të renditjes, ashtu edhe ata të Mourinhos, të cilët treguan se mund t’i bëjnë ballë katalanasve.
Madrilenët pritet të nisin lojën me Pepen në pozicionin e mesfushorit, së bashku me Xabi Alonso dhe Sami Khedira. Sergio Ramos dhe Ricardo Carvalho do të jenë ne tender te mbrojtjes, ndërsa Marcelo dhe Alvaro Arbeloa do të mbulojnë krahët. Përsa i përket sulmit, Mesut Ozil do të nisë takimin si titullar në vend të Benzemas.
Mourinho mund të zgjedhë të luajë pa një sulmues qendror, duke aktivizuar Di Marian, Ozil dhe Cristiano Ronaldon dhe duke lënë në stol Higuain, Adebayorin dhe Benzeman.
Sa i përket Barcelonës, çështja është se kush do të luajë përkrah Gerard Pique në qendër të mbrojtjes. Mendohet se Mascherano do të jetë partneri i spanjollit për shkak të gjendjes jo shumë të mirë fizike të kapitenit Puyol. Keita, Busquets dhe Xavi do të jenë treshja e mesfushës, ndërsa në sulm Messi, Villa dhe Iniesta.
Interesante është se në portë nuk do të jetë i përhershmi Victor Valdes, por zëvendësuesi i tij Pinto.
Portieri i dytë është ai që i ka luajtur të gjitha ndeshjet e Barcelonës në Copa Del Rey dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë gjë edhe sot sepse Guardiola dhe Valdes i kishin dhenë fjalën se të gjitha ndeshjet në Copa Del Rey do të jetë ai i pranishëm në portë.
Leo Messi do të luajë në krah të sulmit për t’iu shmangur markimit të Pepes, i cili në ndeshjen e kampionatit ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë.
Në pamje të parë duket se forcat janë të barabarta, por Barcelona niset nga një avantazh: duke filluar nga viti 2008, kur Real Madrid ka fituar titullin e tij të fundit Superkupën e Spanjës, katalanasit kanë fituar gjithsej tetë tituj.
Wednesday, 20 April 2011 12:42