Oklahoma është kthyer përsëri në garë për një vend në finalen e madhe të NBA pasi ka shkurtuar në 2-1 diferencën në serinë e finales së Perëndimit falë suksesit 102-82 ndaj San Antonio.
Pasi kishin pësuar dy humbje radhazi duke tentuar që të luajnë në sulm, lojtarët e Oklahoma kuptuan se San Antonio mund të mundej vetëm me mbrojtje. Skema rezultoi e suksesshme, pasi San Antonio i dhuroi topin ekipit kundërshtar 21 herë, duke gjuajtur me saktësi poshtë 40% dhe duke shënuar më pak pikë se në të gjithë ndeshjet e tjera të play-off në këtë sezon ku kishin marrë 20 fitore radhazi.
Protagonisti i ndeshjes për Oklahoma ishte Tabo Sefolosha, i cili shënoi 19 pikë, 6 topa në tabelë dhe 6 vjedhje, duke shqetësuar gjatë të gjithë kohës Parker dhe Xhonobilin në tentativat e tyre drejt koshit.
I vetmi lajm i mirë për skuadrën e San Antonio në këtë ndeshje është se Tim Dankan ka hyrë në librin e rekordeve si lojtari me më shumë bllokime në historinë e play-off të NBA, duke kaluar në vendin e parë legjendarin Karim Abdul Xhabar me 477 të tillë. (LajmeShqip.com)
Friday, 01 June 2012 10:50