Zhytja e Bleik Grifin përballë Kendrik Perkins në ndeshjen e parë mes Oklahomas dhe LA Klipërs ka bërë xhiron e botës dhe do të jetë zhytja më e bukur e vitit. Për këtë arsye, skuadra e Oklahomas kërkonte një hakmarrje “personale” ndaj yllit të LA Klipërs dhe këtë e ka arritur duke e kufizuar atë në vetëm 7 pikë, paraqitja e tij më e dobët në karrierën si profesionist, ndërsa ekipi i tij mundej 114-91. Ofensiva e Oklahomas është udhëhequr nga Kevin Durant me 32 pikë, ndërsa për t’u shënuar është edhe debutimi me këtë skuadër i veteranit 37 vjeçar Derek Fisher, i larguar nga LA Leikërs vetëm pak ditë më parë.
Çikago vazhdon të marrë fitore pa praninë e Derik Rouz të cilit drejtuesit e skuadrës kanë vendosur t’i japin pushime të zgjatura derisa të riaftësohet plotësisht. Kryesuesit e Konferencës së Lindjes kanë mundur Toronton me rezultatin 94-82 falë lojës në fundin e periodës së tretë dhe periodën e katërt ku kanë kthyer një deficit prej 12 pikësh në një fitore të thjeshtë. Lojtari më i mirë për Çikagon ishte Luol Deng me 17 pikë e 10 topa në tabelë, duke treguar se me mungesën e Rouz, të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm për këtë skuadër dhe mund të bëjnë diferencën.
Një rezultat shumë i rëndësishëm ka qenë fitorja e LA Leikërs përballë Dallas ku protagonist absolut ishte Kobi Brajant me 30 pikë, i ndihmuar nga Po Gasol me 27 pikë. Kalifornianët marrin një sukses të rëndësishëm 109-93 përballë teksanëve duke siguruar më tej vendin e 3-të në Konferencën e Perëndimit. Ndërkohë, për Dalllas që është kampioni në fuqi i NBA, vështirësohet situata, pasi tani gjendet në vendin e 6 në këtë Konferencë, por rrezikon të mbetet jashtë playoff nëse vazhdon me këto ritme, pasi skuadrat jashtë 8-shes po kalojnë një formë shumë më të mirë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Nju Jork-Filadelfia 82-79
Feniks-Orlando 93-103
Çikago-Toronto 94-82
Uashington-Nju Xhersi 108-89
Kliveland-Atlanta 102-103
G. Steit-Nju Orlins 101-92
LA Klipërs-Oklahoma 91-114
Minesota-San Antonio 100-116
Detroit-Denver 115-116
LA Leikërs-Dallas 109-93
Thursday, 22 March 2012 09:03