Gazeta braziliane “O’Globo” ka publikuar lajmin se Neimar do të prezantohet te Barcelona menjëherë pas përfundimit të Kupës së Konfederatave në korrik. Sipas saj, futbollisti ka nënshkruar një parakontratë me katalanasit dhe është caktuar edhe data e mirëfilltë për këtë prezantim para publikut në Barcelonë.
Sipas burimeve të gazetës, dy ditë më parë, lojtari ka firmosur marrëveshjen që e detyron të paraqitet te katalanasit në korrik në një datë të paracaktuar, menjëherë pasi të përfundojë aktiviteti me kombëtaren braziliane. Si rrjedhojë, ndeshja e të dielës e Santos ndaj Flamengos, që hap kampionatin brazilian, do të jetë me shumë mundësi e fundit që ai luan me fanellën e klubit ku u bë i famshëm. Megjithatë, Santos aktualisht po negocion me Barcelonën në mënyrë që pas Kupës së Konfederatave, të ketë në dispozicion lojtarin edhe për një tjetër ndeshje, në mënyrë që ai t’u japë lamtumirën tifozëve të vet.
Ndonëse nuk flitet për shifra zyrtare, “O’Globo” bën të ditur se Santos ka pranuar pagesën e rreth 18 milion eurove për pjesën e vet të kartonit të lojtarit, ndërsa një shifër të ngjashme katalanasit do të paguajnë edhe për 45% që i përket grupeve të investimit. Marrëveshja mund të zyrtarizohet që të mërkurën, pas mbledhjes së bordit drejtues të Santos, i cili është i vetmi që mund të aprovojë zyrtarisht shitjen e lojtarëve për të cilët ekzistojnë oferta kaq të larta. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 21 May 2013 20:01