Mesfushori turk, Nuri Sahin, është kthyer në radhët e kampionëve të Bundesligës të Borusia Dortmund në formë huazimi, pas paraqitjeve të pasuksesshme te Real Madrid dhe Liverpul në 18 muajt e fundit.
Në një konferencë për shtyp të organizuar gjatë ditës së djeshme nga klubi gjerman, vetë lojtari tregoi kënaqësinë e tij që ishte kthyer përsëri në këtë klub ku ka kaluar vitet më të mira të karrierës së tij si futbollist.
“Jam i lumtur që jam përsëri në shtëpi. Kontaktet e mia me zyrtarët e këtij klubi, lojtarët dhe zyrtarët nuk u ndalën asnjëherë gjatë kohës që qëndrova larg. Shpresoj që të ndihmoj sa më shpejt skuadrën”, tha 24 vjeçari para gazetarëve.
Futbollisti turk u largua nga Borusia Dortmund në vitin 2011, pasi Real Madrid e bleu për 10 milion euro nga skuadra gjermane. Por një seri dëmtimesh bënë që ai të mos arrinte të shkëlqente në Spanjë, ndërsa në verën e vitit 2012 kaloi në formë huazimi te Liverpuli. Tani lojtari ka kaluar në huazim përsëri, por këtë radhë deri në qershorin e vitit 2014, ndërsa kontrata e tij ekzistuese me Real Madrid përfundon në vitin 2017 dhe ai shpreson që në të ardhmen të kthehet përsëri te spanjollët.
Sahin mban dy rekorde në Gjermani, atë të lojtarit më të ri që ka debutuar në një ndeshje të Bundesligës si dhe të lojtarit më të ri që ka shënuar në një ndeshje të këtij kampionati. (LajmeShqip.com)
Saturday, 12 January 2013 09:41