Arsenali po kalon formë të mirë në Premier League, por Atdhe Nuhiu beson se Sheffield Wednesday i kategorisë së dytë angleze mund të matet me gjigantin londinez.
Skuadra e Nuhiut, Sheffieldi, e pret Arsenalin të martën (sot) në kuadër të raundit të katërt të League Cup të Anglisë.
“Ne mund të marrim shumë inspirim nga ndeshja me Manchester Cityn. City është prej klubeve të mëdha në Angli, por ne jemi matur me të për kohë të gjatë dhe kemi dëshmuar që mund të jemi rivalë të denjë për kundërshtarë të mëdhenj”, ka thënë Nuhiu për “thestar.co.uk”, përcjell sot Koha Ditore.
Ai i është referuar ndeshjes së fillimvitit, të cilën Sheffieldi e humbi me shifrat 2:1 nga City. Nuhiu në atë takim kishte realizuar golin e vetëm për skuadrën e tij.
“Është ndeshje e madhe për tifozët. Stadiumi do të jetë i mbushur dhe kjo do të jetë diçka që nuk ka ndodhur në disa vite, kështu që duhet ta shijojmë të gjithë së bashku. Ne nuk kemi çka të humbim përballë Arsenalit dhe duhet të shijojmë ndeshjen. Do të jetë e shkëlqyeshme të luajmë kundër një klubi kaq të madh, jam pozitiv dhe mund t’i dëmtojmë ata dhe të shkaktojmë befasi”, ka shtuar shtatlarti Nuhiu.
Sheffieldi përballet me Arsenalin pas 15 vjetëve.
Tuesday, 27 October 2015 17:12