Laçi ka shkruar emrin në historinë e futbollit shqiptar duke fituar për herë të parë Kupën e Shqipërisë, pasi ka mundur në finale Ballshin me rezultatin 1-0 në një ndeshje që është zgjidhur vetëm pas kohëve shtesë.
Në takimin e luajtur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, që me këtë rast dukej sikur po përjetonte një ndeshje të kombëtares dhe jo dy skuadra rrethesh për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm të tifozëve, Laçi dhe Bylis kanë dhënë gjithçka në fushën e lojës, edhe pse emocionet kanë bërë të vetën dhe nuk i kanë mundësuar dy skuadrave të tregojnë futbollin e tyre më cilësor.
Laçi ka qenë më i favorizuar që pas 20 minutave, pas kartonit të kuq të Arifajt që la skuadrën e tij me 10 lojtarë, ndërsa kurbinasit kanë shfrytëzuar këtë epërsi numerike për të marrë kontrollin e lojës dhe mbajtjen e topit, përballë Bylist që është detyruar të luajë me kundërsulm.
Megjithatë, rastet e pastra para portës kanë munguar gjatë 90 minutave, duke bërë që takimi të shkonte në shtesë. Por atëherë kur dukej se ndeshja po shkonte drejt penalltive, ka qenë një goditje dënimi e Vucajt që ka gjetur Çelën në zonë dhe ky i fundit këtë radhë nuk ka falur duke shënuar në minutën e 119-të golin që i dha Kupën e parë në historinë e vet klubit të Laçit.
Laçianët, përveç sigurimit të trofeut të parë të rëndësishëm në historinë e tyre, kanë siguruar edhe pjesëmarrjen në Europa League në sezonin e ardhshëm, që do të thotë të ardhura të rëndësishme për këtë klub i cili në vitet e fundit ka bërë mjaft emër në futbollin shqiptar. (LajmeShqip.com)
Friday, 17 May 2013 22:55