Toni Damashçeli, editorialisti sportiv i gazetës italiane “Il Giornale”, ka bërë të ditur gjatë një emisioni televiziv se Zhoze Murinjo i ka pranuar atij se në fund të këtij sezoni do t’i japë lamtumirën Real Madrid. Gjithçka ka ndodhur sipas tij, gjatë konferencës së fundvitit të kaluar që u zhvillua në Dubai, ku gazetari dhe trajneri i madrilenëve kanë zhvilluar një bashkëbisedim privat, pasi njihen që prej kohës kur Murinjo drejtonte Interin në Itali.
“Fola personalisht me Murinjon dhe më tha që është një çështje politike. Nuk mund të vazhdonte në Madrid. Me fjalën politikë i referohej ambientit, një pjese të tifozëve, një pjesë të klubit dhe një pjesë të lojtarëve. Më pas e pyeta nëse i pëlqente Parisi dhe ai mu përgjigj tekstualisht: ‘Mund të jetë’”, ishte komenti i Damashçelit rreth Murinjos dhe të ardhmes së tij.
Kjo deklaratë e gazetarit italian çon më shumë drejt përfundimit për një largim me mirëkuptim të trajnerit portugez nga Real Madrid, siç përflitej në fakt që prej fillimit të këtij sezoni. Tani mbetet të mësohet se cila është skuadra që do të zgjedhë Murinjo, por me sa duket kanë filluar edhe kontaktet e para për të shkuar te PSZH. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 30 January 2013 10:18