Paris Sent Zhërmen ka kërkuar ndihmën e Nikolas Sarkozi për të bindur Arsen Venger që të marrë drejtimin e klubit parisien. Kryesuesit e kampionatit francez po marrin në konsideratë idenë e largimit të Karlo Ançelotit në fund të sezonit dhe do të dëshironin shumë që tekniku aktual i Arsenalit të ishte ai që do të merrte përsipër të drejtonte ekipin që nga sezoni i ardhshëm.
Tani pronarët nga Katari duket se janë të bindur se mund ta afrojnë trajnerin, pasi kanë aktivizuar këtë ndërmjetës të veçantë. Sipas revistës franceze “Le Nouvel”, Sarkozi ka telefonuar Venger par ta bindur të pranojë ofertën e pronarëve nga Katari, me të cilët duket se ka miqësi të ngushtë pasi ai shihet shpesh në tribunën VIP kur luan kjo skuadër.
Por vetë trajneri francez ka hedhur poshtë sot idenë e largimit të tij, duke bërë të qartë se do të respektonte kontratën që e lidh me klubin, deri pas 18 muajsh.
“Nuk kam menduar asnjëherë të dorëzohem, më pëlqen të fitoj ndaj do të vazhdoj. Kam një kontratë deri në vitin 2014 dhe do të qëndroj këtu deri atëherë. Vendimin tim do ta marr në vitin 2014, jo më parë”, tha francezi që pranoi se takimi me pronarin Sten Krënke gjatë të mërkurës nuk kishte qenë shumë i lumtur.
“Ky takim nuk ishte saktësisht euforik. Të gjithë janë të zhgënjyer me klubin dhe rezultatet, por nuk do të lejojmë që një ndeshje të ndryshojë mendimet tona rreth mënyrës se si ecën ky klub. I dhashë atij raportin tim teknik dhe diskutuam planifikimin për të ardhmen”, deklaroi Venger. (LajmeShqip.com)
Friday, 22 February 2013 17:45