Sulmuesi i ri i Milanit, M’Baje Niang, ka deklaruar se në të ardhmen dëshiron të kalojë Lionel Mesin dhe se argjentinasi është shembulli i tij. Futbollisti 18 vjeçar, ndonëse ka vetëm një vit në futbollin profesionist në nivelet më të larta, nuk ngurron ta krahasojë veten me disa prej yjeve më të njohur të futbollit botëror, pasi më parë kishte thënë se do të dëshironte të bëhej një golashënues po aq i mirë sa bashkëkombësi i tij, Tierri Henri.
“Dua të punoj që të bëhem më i miri në botë. “Topi i Artë” është një objektiv për tëcilin mendoj gjithmonë”, deklaroi sulmuesi i talentuar për mediat italiane. “I kam vënë vetes si objektiv ta fitoj atë dhe dua që të bëhem më i fortë se Mesi. Punoj shumë dhe kjo është arsyeja pse e di që një ditë do ta arrij këtë objektiv që i kam vënë vetes”, ishte deklarata optimiste e lojtarit.
Niang ka treguar gjithashtu krenarinë se ka arritur të veshë fanellën e Milanit në ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, ndonëse në një moshë të re, duke shpaguar plotësisht besimin që i ka dhënë trajneri Alegri.
“Milani është një skuadër e madhe që ka fituar gjithçka. Për një lojtar të ri, është një nder të jesh pjesë e këtij klubi. Tani unë dua thjesht që të shpagoj besimin që ata kanë pasur të unë”, tha lojtari i cili u transferua nga skuadra e Kanës te kuqezinjtë në vitin 2012. (LajmeShqip.com)
Saturday, 27 April 2013 13:48