Shitja e Tiago Silva dhe Zlatan Ibrahimoviç te PSZH ka sjellë irritim te tifozët e Milanit të cilët tashmë nuk janë të sigurt që ekipi do të jetë në gjendje të luftojë për trofe pa këto kampionë që po largohen. Por një nga futbollistët që sapo është larguar nga kuqezinjtë, mbrojtësi Alesandro Nesta, i ka dalë në mbrojtje drejtuesve të klubit për zgjedhjen që kanë bërë.
“U bënë 26 vite që Berluskoni hedh para për klubin. Unë, si tifoz i thjeshtë, do ta kisha falënderuar pasi për një çerek shekulli më ka bërë të gëzohem shumë herë”, tha lojtari që u largua pak javë më parë nga kjo skuadër.
Gjithsesi, edhe ai e pranon se te kuqezinjtë do të jetë e vështirë të gjehen zëvendësues të denjë për dy futbollistët që sapo janë larguar dhe me shumë mundësi klubi duhet të përqendrohet te futbollistët e perspektivës.
“Shitja e këtyre dy lojtarëve është një humbje e rëndë. Ata janë lojtarë të cilët nuk i gjen në merkato, gjen vetëm futbollistë inferiorë në krahasim me ta. Ndoshta me të ardhurat nga shitja e tyre blihen 3 apo 4 lojtarë me vlerë duke parë perspektivën e moshës”, ishte komenti i mbrojtësit italian. (LajmeShqip.com)
Saturday, 14 July 2012 12:30