“Zënka mes Alegrit e Inzagit? Nëse ka shkuar ashtu siç kam lexuar, ishte një budallallëk. Ata u sollën si dy fëmijë”. Këto janë fjalët e Alesandro Nestës, ish-mbrojtësit të kuqezinjve që për shumë vite më radhë ka qenë një “flamur” i kësaj skuadre.
Me fjalët e tij, lojtari që luajti 10 vite radhazi për Milanin ka lënë të kuptohet se sa e vështirë është të administrosh situatat në klubin kuqezi, duke ironizuar edhe me “paqen” e vendosur me forcë nga klubi që i detyroi të dilnin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
“Edhe në vitet e kaluara kemi filluar kampionatin keq por pastaj kemi arritur të zhvillojmë sezone të shkëlqyera. Nuk di se kush mund të jetë një alternativë nëse largohet Alegri”, ishin fjalët e Nestës, duke lënë të kuptohet se nuk e sheh Inzagin si një alternativë të përshtatshme për pankinën e kuqezinjve. Më pas, ai ka folur edhe për kampionatin italian, të cilin e braktisi gjatë verës për të emigruar në MLS ku aktivizohet me Montreal.
“A është Juventusi favorit për kampionatin italian? Ka qenë më përpara dhe tani është edhe më shumë. Mendoj se do të jetë e vështirë që të arrihet si skuadër pasi luajnë prej shumë kohësh bashkë”, deklaroi ish-mbrojtësi i përfaqësues italiane. (LajmeShqip.com)
Monday, 24 September 2012 13:20