Real Madrid dhe Mançester Siti duket se janë skuadrat më të mundshme ku Edinson Kavani pret të vazhdojë karrierën e tij në sezonin e ardhshëm. Konfirmimi ka ardhur nga një burim jo i zakonshëm, nëna e sulmuesit uruguaian.
“Edinson po flet me Mançester Sitin dhe Realin. Pas 15-20 ditësh do të mësojmë gjithçka. Presidenti i Napolit ka folur edhe për mundësinë e negociatave me Çelsin, por nuk ka ende asgjë konkrete. Ai e do Napolin dhe nëse do të largohet, nuk do ta harrojë kurrë dashurinë e njerëzve të këtij qyteti”, ishte deklarata që Berta Kavani bëri në një radio të Montevideos në Uruguai.
Kjo deklaratë praktikisht ka bërë të qartë se për lojtarin ka filluar një ankand i mirëfilltë, me Mançester Sitin, Real Madrid e Çelsin që do të bëjnë çmos që të bindin lojtarin t’i bashkohet atyre. Më i fituari në këtë mes mbetet gjithsesi Aurelio De Laurentis, i cili me sa duket do të bëjë realitet ëndrrën e tij për të përfituar 60 milion euro nga shitja e sulmuesit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 13 June 2013 22:55