Nejmar ka arritur të shënojë golin e tij të 100 si profesionist pikërisht në ditën në të cilën ka festuar 20 vjetorin e tij. Kjo është një statistikë e jashtëzakonshme duke parë se krahasohet me disa nga legjendat e futbollit brazilian, si Ronaldo e Romario, ndonëse luan më i tërhequr dhe jo në zonë siç bënin këto dy sulmues të mirëfilltë.
Futbollisti ka shifra të pabesueshme. Në vitin 2009, kur debutoi, shënoi 15 gola. Në vitin 2010, kur shpërtheu në skenën ndërkombëtare në moshë 18 vjeçare, shënoi 44 gola për të fituar kampionatin “Paulista” dhe Kupën e Brazilit. Viti 2011: Me ripërsëritjen e suksesit në “Paulista” dhe fitoren e Kupës Libertadores për Santos pas 48 vitesh, ai shënoi 40 gola. Goli i 110-të erdhi pikërisht në ndeshjen e dytë të vitit 2012.
Ai vazhdon të krahasohet me Ronaldo dhe Romario, ndonëse këta të fundit kanë qenë më të rinj kur kanë arritur kuotën e 100 golave të shënuar. “Fenomeni” Ronaldo ishte 19 vjeç e 4 ditë ku shënoi golin e 100-të, ndërsa Romario ishte 19 vjeç e 11 muajsh kur arriti këtë shifër.
Pele është i vetmi që “ha bukë veç” në këtë klasifikim, pasi që në moshën 17 vjeçare ishte Kampion Bote me Brazilin dhe 17 vjeç e 9 muajsh kishte kaluar kuotën 100. Gjithsesi, Nejmar duhet të kënaqet që ka kaluar bindshëm më të mirin në botë aktualisht, Lionel Mesin. Argjentinasi arriti shifrën 100 vetëm në moshën 22 vjeçare. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 08 February 2012 15:05