Neimar ka hedhur poshtë pretendimet e bashkëkombësit të tij, Dante, rreth mundësisë për të kaluar te Bajern Mynih në të ardhmen. Ylli i Santos është lidhur shpesh me një kalim të mundshëm në Evropë në dy vitet e fundit dhe kohët e fundit ai vetë pranoi se Bundesliga gjermane ishte një opsion mëse real.
Pas ndeshjes së kombëtares kundër Brazilit, Dante, mbrojtësi i bavarezëve, deklaroi se shoku i tij e kishte pyetur se si ishte jeta në Gjermani dhe si po ecte skuadra, por Neimar mohon të ketë zhvilluar një bisedë të tillë.
I pyetur rreth kësaj teme nga “Kicker”, Neimar ishte i prerë: “Jo, nuk kemi folur asnjëherë”.
Dante është kthyer në një futbollist titullar te Bajern Mynih që prej transferimit të tij nga radhët e Borusia Mynshengladbah gjatë kësaj vere. Ndërsa Neimar ka një kontratë deri në vitin 2014 me Santos dhe vetëm atëherë mendohet se do të zgjedhë të udhëtojë drejt Evropës për t’iu bashkuar një prej ekipeve më të mëdha në kontinent. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 12 February 2013 12:16