Sulmuesi brazilian, Neimar, i ka folur publikisht për t’i dhënë fund spekulimeve që e shohin atë të largohet së shpejti nga Brazili. Pas lajmit se Pep Guardiola ka zgjedhur të drejtojë Bajern Mynih duke filluar nga sezoni i ardhshëm, mediat spanjolle sugjeruan se ylli brazilian do të ishte blerja e parë e madhe që synonte skuadra bavareze.
Por vetë futbollisti ka sqaruar se pavarësisht respektit të jashtëzakonshëm ndaj Guardiolës, ai dëshironte që të vazhdonte përmirësimin e tij, duke qëndruar në Brazil për momentin.
“Guardiola është një trajner i madh, një nga më të mirët në botë. Po, unë kam dëshirë që një ditë të punoj me të, ashtu si me shumë trajnerë të tjerë të mëdhenj të futbollit botëror”, tha Neimar para gazetarëve.
“Por unë e përsëris: Unë dua të vazhdoj të luaj për Santos. Jam i lumtur këtu”, tha sulmuesi brazilian që ka një kontratë me klubin deri pas përfundimit të Botërorit 2014.
Klauzola e largimit në kontratën e tij është 70 milion euro, por asnjë klub nuk e ka aktivizuar atë, duke parë se për momentin lojtari është i bindur që t’i qëndrojë besnik skuadrës së Santos. (LajmeShqip.com)
Saturday, 19 January 2013 12:01