Neimar shihet si alternativa më e mundshme për të zbritur nga froni i më të mirëve në botë dyshen Kristiano Ronaldo-Mesi. Por vetë talenti brazilian e ka të qartë se kush është idhulli i tij për momentin, duke zgjedhur lojtarin argjentinas, për të cilin ka treguar se është një tifoz i zjarrtë.
I gjendur në Argjentinë për të luajtur në Kupën Libertadores me Santos kundër Velezh, ai është pritur mjaft mirë nga tifozeria vendase që adhuron futbollin spektakolar.
“Është një gëzim shumë i rëndësishëm për mua afrimiteti që më ofroi tifozeria argjentinase. Rivalitet ekziston, por kur një skuadër luan futboll të hapur përballë një skuadre tjetër, rivaliteti lihet mënjanë”.
“Ne që na pëlqen futbolli, dimë të vlerësojmë atë që e luan bukur. Për atë që e njeh futbollin, nuk ka rëndësi as kombësia, as emrat e ekipeve që luajnë, pasi i mjafton të njohë se kush luan mirë”.
“Unë jam një tifoz fanatik i Mesit dhe për mua ai është futbollisti më i mirë në botë edhe pse është një argjentinas. Nuk ka rëndësi nga je. Nëse është më i miri, duhet vetëm t’i heqim kapelen”, ishte komenti i Neimar.
Kjo deklaratë e tij do të shtojë më shumë spekulimet për të ardhmen e talentit brazilian pas vitit 2014, kur i përfundon kontrata me Santos. Sulmuesi ka pranuar se ëndërron të luajë përkrah Mesit dhe Barcelona po përgatitet që t’i hapë dyert transferimit të tij. (LajmeShqip.com)
Sunday, 20 May 2012 18:01