Ylli i Santos, Neimar, ka deklaruar se mbështet fuqimisht idenë që Lionel Mesi të fitojë përsëri “Topin e Artë” në këtë sezon.
Ylli argjentinas është mes favoritëve për suksesin në fitoren e trofeut individual pasi ka arritur të udhëheqë Barcelonën drejt 4 trofeve në sezonin 2011-2012, duke shënuar 73 gola në ndeshjet zyrtare të kësaj skuadre.
Neimar është krahasuar shpesh me Mesin por 20 vjeçari nuk mendon se ai është në gjendje të fitojë këtë trofe, ndërsa pret që lojtari i katalanasve të sigurojë një tjetër çmim.
“Unë? Jo, “Topi i Artë” është vetëm për Mesin, i cili është më i miri në botë, nuk ka asnjë tjetër si ai”, tregoi Neimar për “Mundo Deportivo”. “Ai do ta fitojë këtë çmim, është më i miri. Ai shfaqet me gjëra të reja pas çdo ndeshje. Po, mendoj se duhet një tjetër “Top i Artë” për Mesin. Të gjithë presim që të jetë kështu”, deklaroi braziliani.
Nëse fiton edhe në këtë edicion, Lionel Mesi do të bëhet futbollisti i parë në botë që fiton për katër herë “Topin e Artë”, pasi e ka siguruar për tre vite radhazi këtë trofe. (LajmeShqip.com)
Monday, 23 July 2012 09:20