Tiranë – Dëshira është e madhe që në kryeqytetin e dytë të shqiptarëve, në Prishtinë, të shkojë përfaqësuesja e Shqipërisë. Në të dyja anët e kufirit një shumicë dërmuese njerëzish mezi e presin një ngjarje të tillë, por shanset që realisht kjo gjë të ndodhë duken tepër, tepër të vogla. Të paktën kjo thuhet nga burime në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Nuk bëhet fjalë për Francën, e cila ka prenotuar në Tiranë gjithçka për axhendën e saj të shkurtër për ndeshjen eleminatore në Euro 2012 ndaj Shqipërisë më 2 shtator të këtij viti. Pra, diskutohet për ndeshjen ndaj Rumanisë që parashikohet të luhet më 11 tetor.
Problemin më të madh e sjell gjendja e stadiumit të Prishtinës, një stadium që, sipas burimit të mësipërm, është në gjendje aspak të përshtatshme për të zhvilluar një ndeshje të një nivelit të tillë. Nga të dyja palët, ekziston dëshira që Federata e Futbollit e Kosovës të sigurojë një fond për rikonstruktimin e stadiumit, impiant në të cilin nuk është vënë dorë seriozisht prej shumë e shumë vitesh.
I pyetur për këtë gjë, shefi i zyrës së shtypit në FSHF, Zalla, u shpreh se Prishtina është një nga altenativat për ndeshjen me Rumaninë, por jo për Francën, ndërsa shton se është tepër shpejt që të flitet se çfarë do të ndodhë në të vërtetë.
Shqipëria duhet të luajë më 7 qershor në fushën e Bosnjë-Hercegovinë në eleminatoret e Euro 2012, por për momentin kjo ndeshje nuk mund të zhvillohet për shkak të pezullimit të federatës me seli në Sarajevë.
Friday, 22 April 2011 15:54