Tiranë – Ekipi kombëtar vijon grumbullimin e tij në hotel “Dyrrah” në plazhin e Durrësit, ku po përgatit sfidën e së shtunës në mbrëmje ndaj Bjellorusisë në “Qemal Stafa”, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian Euro 2012, që do të mbahet në Poloni dhe Ukrainë.
Pas stërvitjes së paradites, në sallën e konferencave foli mesfushori i Hajdukut të Splitit në kampionatin kroat, Ervin Bulku.
Sipas tij, ndeshja e zhvilluar në muajin tetor në Minsk, e humbur 2-0 nga përfaqësuesja kuq e zi, nuk mund të merret për bazë për takimin e së shtunës, pasi ajo, sipas tij, ishte ndeshja më e keqe e zhvilluar nga kombëtarja në dy vitet e fundit.
“Më tepër sesa na mundi Bjellorusia, mund të them se atje ne kemi mposhtur veten, pasi kemi zhvilluar ndeshjen më të dobët pas dy vjetësh. Kemi nxjerrë një mësim të mirë në Bjellorusi dhe shpresoj që ato gabime që kemi bërë aty, të mos i përsërisim në ndeshjen që kemi në Tiranë”, tha Bulku.
Ai e gjykon takimin e së shtunës si një ndeshje “shumë e rëndësishme për ne, që duhet ta fitojmë patjetër”.
Por, sipas Bulkut, sfida nuk duhet parë si hakmarrje, por thjesht si një ndeshje, ku duhen marrë tre pikët. “Nuk do ta shohim si hakmarrje sfidën ndaj Bjellorusisë, por do ta shohim si një ndeshje ku duhet të marrim patjetër tre pikët, pasi të gjithë e dimë se sa e rëndësishme është kjo ndeshje. Tre pikët mund të ndryshojnë krejtësisht ecurinë tonë gjatë këtij edicioni”, përfundoi ish-mesfushori i Tiranës, Ervin Bulku.
Thursday, 24 March 2011 08:21