Real Madridi ka rastin t’i japë fund pushimit trevjeçar për trofe, sonte mbrëma në Valencia, kur do të ndeshet me Barcelonën në finalen e Kupës së Mbretit.
Finalja e Kupës do të luhet në stadiumin “Mestalla” të Valencias dhe do të nisë në orën 21:30.
Barcelona dhe Reali do të përballen në finalen e Kupës së Mbretit për herë të parë pas plot 21 vjetësh. Këto dy ekipe pesë herë janë takuar në finale të kësaj gare dhe Barça ka një triumf më shumë në këto përballje.
Mourinho kësaj here mund të jetë më ofensiv, pasi pritet të inkuadrojë prej fillimit mesfushorin gjerman Mesut Oezil, i cili ngjalli lojën e Realit në “El Clasico” të së shtunës, kur u inkuadrua në pjesëlojën e dytë.
Mourinho mund të përdorë sërish mbrojtësin Pepe në rolin e mesfushorit, pasi me sukses arriti të ndalë Lionel Messin, Andres Iniestan dhe Xavi Hernandezin në ndeshjen e fundit.
Mourinho sa ishte asistent te Barcelona dy herë ka fituar Kupën e Mbretit. Reali herën e fundit ka triumfuar në vitin 1993, kurse kjo do të jetë finalja e parë pas vitit 2004 për skuadrën “mbretërore”.
Barcelona do të mundohet të rrisë rekordin e trofeve të fituar në 25 nga 34 finale të zhvilluara. Barcelona në vitin 2009 pati fituar këtë garë pasi mposhti 4:1 Athletic Bilbaon.
Kapiteni Carles Puyol, me gjithë paralajmërimin se është i lënduar, do të jetë në përbërjen startuese.
“Finalja gjithmonë është atraktive. Do të jetë ndeshje e vështirë, pasi do të përballen dy ekipet më të forta në botë”, ka thënë Puyol.
Kjo ndeshje do të transmetohet nga një numër rekord i televizioneve dhe do të përcillet në 140 shtete drejtpërdrejt.
Wednesday, 20 April 2011 12:44