Matias Samer është drejtori i ri sportiv i Bajern Mynih, duke braktisur këtë pozicion që mbante në radhët e përfaqësueses gjermane të futbollit. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi bavarez që ka larguar Kristian Nerlinger, i cilësuar fajtor për sezonin e dytë radhazi pa trofe të këtij klubi.
Samer ka një CV të admirueshme dhe mbahet një nga personat më të aftë në anët teknike në futbollin gjerman. Jo rastësisht ai punonte në zyrat e Federatës Gjermane, por dje ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij për t’iu bashkuar bavarezëve, të cilët i kanë dhënë atij një pozicion shumë të rëndësishëm. Samer ka hyrë në histori si trajneri më i ri që ka shpallur një skuadër kampion në Gjermani, pasi fitoi Bundesligën në vitin 2002 me Borusia Dortmund, kur ishte thuajse 35 vjeç.
“Puna e drejtorit sportiv është ajo që kam ëndërruar dhe që më përshtatet më shumë”, ishte deklarata e Samer pak ditë më parë në “Bild”, një sinjal i qartë drejt bavarezëve të cilët nuk kanë ngurruar për të afruar ish-kapitenin e përfaqësueses i cili prej 6 vitesh ka rindërtuar plotësisht sistemin e kombëtareve të moshave në Federatën Gjermane të Futbollit. (LajmeShqip.com)
Monday, 02 July 2012 16:40