Një grup amatorësh në Mançester kanë thyer rekordin botëror për ndeshjen më të gjatë në historinë e futbollit. Një grup prej 36 personash, filloi të shtunën dhe mbaroi të hënën ndeshjen e futbollit që zgjati 72 orë radhazi, e luajtur në ambientet e shkollës së Stretford në këtë qytet.
Iniciativa u organizua për të mbledhur fonde për një spital lokal fëmijësh, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit në aktivitet luajtën me turne prej 5 orësh. Më pas, ata pushonin dhe ushqeheshin në tendat e vendosura në krah të fushës, ndërsa vazhdonin përsëri radhën e tyre pas pesë orëve, duke zëvendësuar ata që ishin në fushë.
Në këtë mënyrë, ata thyen me 10 orë rekordin e mëparshëm të 62 orëve radhazi për një ndeshje futbolli mes dy skuadrave që përbëhen nga 11 lojtarë, pasi mbyllën takimin e tyre treditor pikërisht sapo u shënuan 72 orë lojë efektive radhazi, ndërsa ndeshja përufndoi me rezultatin 603-462.
Grupi do të dërgojë filmimet e kësaj ndeshje në kompaninë që ka librin e rekordeve Guinness, në mënyrë që kjo ndeshje të përfundojë mes rekordeve aty. Nuk dihet nëse iniciativa do të përsëritet në të ardhmen, por është e sigurt se njëra prej skuadrave do të jetojë për shumë kohë me turpin se ka humbur një ndeshje futbolli me diferencën e 141 golave. (LajmeShqip.com)
Thursday, 09 May 2013 18:01