Ndeshjet e fundit për vitin 2011 për Serinë A, ata të javës së parë të prapambetur për shkak të grevës së futbollistëve në fillimin e sezonit, kanë konfirmuar emrat e dy skuadrave pretendente për titullin kampion, Juventusin dhe Milanin, të cilat tashmë ndajnë së bashku kreun e klasifikimit me nga 34 pikë.
Kuqezinjtë fituan lehtësisht të martën ndaj Kaljarit, ndërsa bardhezinjtë nuk arritën të vazhdonin serinë e fitoreve, duke u ndalur në një barazim pa gola në fushën e Udinezes. Në këtë mënyrë, të dy skuadrat kanë nga 34 pikë, ndërsa ndiqen pikërisht nga Udineze në kuotën e 32 pikëve.
Në vendin e katërt në renditje gjendet Lacio e cila nuk ka përfituar nga ndalesa e Juventusit për t’iu afruar më shumë kreut. Pengesë për skuadrën kryeqytetase është bërë Kievo që ka ndalur bardhekaltrit në një barazim pa gola në “Olimpiko”.
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka arritur të rifitojë një vend në formacionin titullar të Lacios por nuk ka mundur dot të ndihmojë skuadrën e tij që gjithsesi vazhdon të mbetet në një pozicion mjaft të favorshëm në renditje.
Në vendin e 5-të në renditje, por e shkëputur nga katërshja e kreut është tashmë skuadra e Interit që ka arritur të mundë 4-1 Leçen ndonëse është gjendur në disavantazh në minutën e 26-të të takimit. Zkaltërit kanë lënë pas fillimin e vështirë të sezonit dhe falë fitores së katërt radhazi ecin më të qetë dke u kthyer mes ekipeve pretendonte. Për t’u shënuar në këtë javë edhe suksesi 2-0 i Romës në fushën e vështirë të Bolonjës si dhe goleada 6-1 e Napolit ndaj Xhenoas.
Ndërkohë, Novara e Samir Ujkanit ka barazar 2-2 në shtëpi me Palermon pas një ndeshje emocionuese deri në minutat e fundit, ku portieri shqiptar ka shpëtuar disa herë portën nga gola të sigurtë. Ndërsa Çezena ku aktivizohet Erjon Bogdani është mundur 4-1 nga Atalanta, në një ndeshje pa shumë histori. Sulmuesi shqiptar është aktivizuar vetëm në pjesën e dytë të ndeshjes, por nuk ka mundur të ndihmojë skuadrën e tij. Kampionati italian kthehet në 7 dhe 8 janar me ndeshjet e javës së 17-të.
Seria A / Rezultatet
Atalanta-Çezena 4-1
Bolonja-Roma 0-2
Inter-Leçe 4-1
Lacio-Kievo 0-0
Napoli-Xhenoa 6-1
Novara-Palermo 2-2
Parma-Katania 3-3
Thursday, 22 December 2011 14:01