Java e 13-të e Kategorisë Superiore, e fundit e fazës së parë dhe vitit 2011, ka dekretuar Teutën si “kampione dimri”. 
Ekipi durrsak, ndonëse nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 ndaj Kastriotit, ka mbetur i shkëputur i vetëm në kreun renditjes.
Pepa ka kaluar në avantazh skuadrën e drejtuar nga Hasan Lika, por miqtë nuk janë dorëzuar dhe kanë barazuar rezultatin falë golit të Turdiut në minutën e 68-të. Kësisoj, Teuta mbetet e shkëputur 5 pikë nga Tirana, që nuk ka mundur të afrohet duke barazuar edhe ajo 0-0 në fushën e Kamzës. Bardheblutë kanë dominuar takimin por ndërhyrjet e portierit Bytyçi kanë shpëtuar portën ndërsa një goditje dënimi e Duros ëstë ndalur nga traversa.
Në barazim pa gola ka përfunduar edhe sfida mes Laçit dhe Flamurtarit, e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës pa praninë e tifozëve, për shkak të dënimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës për ekipin kurbinas. Megjithatë, kjo nuk e ka ndihmuar skuadrën vlonjate të marrë tre pikët për t’iu afruar më shumë kreut të renditjes.
Një fitore e rëndësishme ka qenë ajo 2-1 e Shkumbini ndaj Vllaznisë në Peqin. Dygolëshi i të zakonshmit Dervishi ka larguar peqinasit nga zona e ftohtë e renditjes duke kaluar pikërisht Vllazinë, e cila pret rifillimin e merkatos për t’u përforcuar pas largimit të disa prej futbollistëve të saj.
Edhe Tomori ka hedhur një hap të sigurt drejt largimit nga zona e ftohtë renditjes, duke mundur 2-0 Apoloninë dhe fundosur më thellë skuadrën fierake. Golat e Bakiut dhe Shametit kanë bërë që tashmë skuadra beratase të arrijë në kuotën e 11 pikëve dhe të jetë në distancë më të afërt me skuadrat që janë larg zonës së ftohtë të renditjes.
Ndërkohë, rezultati më i papritur i javës ka qenë barazimi 1-1 i Dinamos me Bylisin. Ballshiotët vinin në kryeqytet me pretendime dhe dominuan me meritë gjatë të gjithë takimit duke gjetur edhe golin me anë të Dimos që në pjesën e parë. Por në minutat shtesë të takimit, pas një 11-metërshi të akorduar nga gjyqtari Dobi, portieri i bluve Osmani ka shënuar golin e barazimit. Për Dinamon, rezultati i kësaj ndeshje bën që më në fund të ketë një pikë në renditjen e kampionatit.
Ndeshja Skënderbeu-Pogradeci është shtyrë në një datë për tu përcaktuar, për shkak të reshjeve të shumta të dëborës që mbuluan qytetin e Korçës në ditët e fundit. Kategoria Superiore do të kthehet me 11 shkurt 2012 me ndeshjet e javës së14-të.
Kategoria Superiore
Rezultatet
Tomori-Apolonia 2-0
Dinamo-Bylis 1-1
Shkumbini-Vllaznia 2-1
Laçi-Flamurtari 0-0
Kamza-Tirana 0-0
Teuta-Kastrioti 1-1
Skënderbeu-Pogradeci e shtyrë
Renditja
Teuta 32, Tirana 27, Skënderbeu 23, Kastrioti 23, Flamurtari 22, Bylis 18, Shkumbini 18, Vllaznia 17, Kamza 14, Pogradeci 13, Laçi 11, Tomori 11, Apolonia 8, Dinamo 1.
Saturday, 24 December 2011 13:17