Merkato e NBA në këtë sezon po pëson lëvizje shumë të mëdha, me disa nga veteranët më të shquar që kanë ndryshuar skuadra në tentativën e tyre për të fituar një tjetër titull kampion para se të shkojnë në pension.
Stiv Nesh ishte ai që hapi rrugën duke kaluar te LA Leikërs, ndërsa shumë shpejt u pasua nga emra si Xhezon Kid, Rei Alen e Xhezon Terri.
Rei Alen braktisi Boston pas 5 viteve, ndërsa fitoi titullin kampion në vitin 2008 me këtë skuadër. Ai pritet të përfitojë rreth 3.1 milion dollarë në vit për tre sezonet e ardhshme te Majemi, ku kuptohet që nuk do të jetë titullar. Alen është gjuajtësi më i mirë i trepikëshave në historinë e NBA dhe Majemi ka parë se në momentet e vështira, gjuajtjet nga distanca janë ato që e kanë shpëtuar dhe i që i dhanë titullin në sezonin që sapo përfundoi.
Për ta zëvendësuar atë, Boston ka marrë nga Dallas Xhezon Terrin, atë që cilësohet si një nga alternativat më të mira në stol në NBA. Terri pritet të ketë në dispozicion pa aq minuta sa kishte te Dallas, por puna e tij këtë radhë do të jetë më e lehtë sepse përkrah ka lojtarë të kalibrit të Rondo, Pirs e Garnet, ndërsa te ekipi i tij i mëparshëm ishte vetëm Dirk Novicki.
Një tjetër lëvizje e bujshme është ajo e Xhezon Kid që ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me Nju Jork. Organizatori do të fitojë 3 milion dollarë në sezon, ndërsa pritet të luajë si titullar përkrah Xheremi Lin, yllit të ri të kësaj skuadre. (LajmeShqip.com)
Saturday, 07 July 2012 08:40