Majemit i është dashur kontributi i “Tre të mëdhenjve” për të mundur Indianën 93-91 në një ndeshje që ka shkuar me kohë shtesë dhe është vendosur në sekondën e fundit. Dukej se Indiana po merrte një fitore të rëndësishme në fushën e pretendentëve për titull, por LeBron Xhejms (27 pikë, 8 topa në tabelë, 4 pasime, 4 vjedhje) shënoi një trepikësh për të barazuar rezultatin në fundin e kohës së rregullt dhe pastaj nuk i dha mundësinë Darren Kollison të shënonte koshin e fitores në anën tjetër të fushës. Ylli i Majemit, bashkë me Kris Bosh, shënuan disa pikë radhazi në shtesë, ndërsa aksioni i fundit mbeti në duart e Duejn Uejd. Ky i fundit nuk gaboi duke realizuar gjuajtjen e fitores në sekondën e fundit te ndeshjes për të mbyllur takimin me 28 pikë, 4 topa në tabelë e 7 pasime.
Tashmë Majemi bëhet gati për “udhëtimin e ferrit” pasi në javën e ardhshme do të luajë në fushën e tre rivalëve më të fortë në Konferencën e Lindjes: Orlando, Çikago dhe Filadelfia.
Ndërkohë, Oklahoma është hakmarrë për humbjen e dy ditëve më parë në shtëpi përballë Kliveland duke shkatërruar ekipin më të dobët në NBA, Sharlot, me rezultatin 122-95. Kryesuesit e Konferencës së Perëndimit nuk e vunë asnjëherë në diskutim fitoren dhe dominuan këtë ndeshje falë edhe një kontributi të jashtëzakonshëm të Xhejms Harden. 22 vjeçari që këtë sezon është kandidati kryesor për të fituar çmimin “Zëvendësuesi i Vitit”, shënoi 33 pikë, i “ndihmuar” nga Kevin Durant me 26 pikë dhe Rasëll Uestbruk me 23. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Portland-Uashington 110-99
Indiana-Majemi 91-93
Toronto-Detroit 86-105
Hjuston-Nju Xhersi 112-106
Sharlot-Oklahoma 95-122
Utah-Çikago 97-111
Nju Orlins-Minesota 95-89
Memfis-Feniks 91-98
Dallas-Golden Steit 87-111
Sunday, 11 March 2012 09:02