Ndeshjet e ditës së dytë të NBA kanë konfirmuar krizën e dy skuadrave, Los Anxhelos Leikërs dhe Dallas Maveriks. Ekipi i Kobi Brajant është mundur nga Sakramento Kings me rezultatin 100-91, duke bërë që në fillim të vështirë një sezon ku pritshmëria e tifozëve ishte e madhe. Lamtumira e trajnerit Fil Xhekson dhe transferimi i rezervës Lamar Odom mund të bëjnë që Leikërs tashmë të mos shihen si një skuadër pretendente.
Si për ironi të fatit, skuadra tjetër që në dy ndeshje ka regjistruar 2 humbje është Dallas Maveriks. Kampionët në fuqi janë mundur përsëri lehtësisht 115-93, këtë radhë nga Denver Naxhets. Dallas është dorëzuar që në pjesën e parë të takimit, ndërsa në pjesën e dytë, trajneri Rik Karlajl ka vendosur të aktivizojë rezervat duke parë se titullarët po zhgënjenin krejtësisht.
Ndërkohë, skuadra e vetme me 2 fitore në po aq ndeshje është Oklahoma Siti Thandër, e cila falë 33 pikëve të Kevin Durant ka mundur 104-100 Minesota Timbërulfs. Ndeshja më interesante e ditës së sotme do të jetë ajo mes Majemi dhe Boston, që mund të përcaktojë menjëherë se kush do të jetë ekipi më i favorizuar për triumfin në Konferencën e Lindjes. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
26.12.2011
Detroit-Indiana 79-91
Nju Xhersi-Uashington 90-84
Hjuston-Orlando 95-104
Miluoki-Sharlot 95-96
Toronto-Kliveland 104-96
Oklahoma Siti-Minesota 104-100
Denver-Dallas 115-93
Memfis-San Antonio 82-95
Nju Orlins-Feniks 85-84
Filadelfia-Portland 103-107
LA Leikërs-Sakramento 91-100
Çikago-Golden Steit 91-99
Tuesday, 27 December 2011 13:13