Në një sezon ku duket se Boston do të luajë rol episodik në luftën për titull, Rajan Rondo ka dashur të thotë fjalën e tij, duke treguar se mbetet një prej organizatorëve më të mirë të NBA. 25 vjeçari ka udhëhequr ekipin e tij drejt suksesit 95-91 ndaj Çikagos, falë paraqitjes më të mirë sezonale me 32 pikë, 10 topa në tabelë dhe 15 pasime. Çikago nuk ka patur me çfarë t’i kundërpërgjigjet furisë së Rondo, pasi organizatori i saj, Derrik Rouz, ka munguar në ndeshjen e dytë radhazi për shkak të problemeve në shpinë. Me këtë humbje, Bulls rrezikojnë vendin e parë në Konferencën e Lindjes, pasi kanë 7 humbje, po aq sa Majemi që është rivali kryesor.
Në ndeshjet e tjera, LA Leikërs kanë marrë një fitore shumë të vështirë në Toronto ndaj vendasve. Ndonëse kalifornianët kishin një avantazh prej 18 pikësh, ekipi kanadez ka rikuperuar gjithçka në periodën e fundit, duke arritur që të kalojë përpara. Por ata janë dorëzuar përballë Kobi Brajant i cili ka shënuar koshin e fitores kur kishin mbetur 4.2 sekonda për t’u luajtur. Më pas, Toronto ka humbur shansin për të barazuar apo fituar ndeshjen pasi Rasual Batlër nuk ka arritur të vërë topin në lojë brenda 5 sekondave, duke ia dhuruar atë Leikërs që kanë mbyllur ndeshjen. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
12.02.2012
LA Leikërs-Toronto 94-92
Çikago-Boston 91-95
Uashington-Detroit 98-77
Majemi-Atlanta 107-87
Hjuston-G. Steit 97-106
Utah-Memfis 98-88
Monday, 13 February 2012 09:12