Dallas i ka dhënë lamtumirën ëndrrave për mbrojtjen e titullit kampion në NBA duke u eliminuar që në raundin e parë me rezultatin 4-0 nga Oklahoma. Pavarësisht 34 pikëve të Dirk Novicki e 16 të Xhezon Kid, teksanët nuk i kanë rezistuar dot energjisë së ekipit të Oklahomas. Këta të fundit kanë patur si protagonistë Kevin Durant me 24 pikë e 11 topa në tabelë, por sidomos Xhejms Harden me 29 pikë, 5 topa në tabelë e 5 pasime. Tani Oklahoma ka kohën e mjaftueshme për të pushuar, pasi në raundin tjetër pret fituesin e sfidës LA Leikërs-Denver që për momentin është 2-1 në favor të kalifornianëve.
LA Klipërs kanë marrë një sukses mes drithërimave në ndeshjen e parë të play-off pas 6 sezonesh në fushën e tyre. Kalifornianët arritën të fitonin me vetëm një pikë diferencë, 87-86 ndaj Memfis, ndërsa shpëtuan nga një humbje tronditëse pasi gjuajtja e Rudi Gei në sekondën e fundit nuk përfundoi në kosh. Kris Pol ishte lojtari më i mirë i LA Klipërs me 24 pikë e 11 topa në tabelë, por pjesa tjetër e ekipit duhet të mendojë për përmirësime nëse dëshiron të kalojë këtë turn në play-off, pasi ka shfaqur vështirësi të qarta, sidomos në gjuajtjet e lira, ku në këtë ndeshje humbën 17 nga 30.
Indiana mori një tjetër sukses të rëndësishëm në transfertë përballë Orlandos, duke fituar 101-99 në kohën shtesë, për të qenë tashmë vetëm një fitore larg raundit të dytë të play-off. Devid Uest me 26 pikë e 12 topa në tabelë, si dhe Roi Hibert me 14 pikë e 11 topa në tabelë ishin protagonistë për këtë skuadër që po ruan të gjitha parashikimet duke arritur të shfaqet më mirë se Orlando. Ndonëse këta të fundit pas mungesës së Duajt Hauard kanë gjetur liderin e ri te Glen Devis (24 pikë, 11 topa në tabelë), nuk po arrijnë të triumfojnë ndaj kundërshtarëve edhe falë gabimeve nga gjuajtjet për tri pikë, ku në këtë ndeshje shënuan 9 nga 29 tentativat që bënë.
Ndeshja e fundit e natës ka qenë ajo mes San Antonio dhe Utah, ku siç pritej, ekipi teksan ka fituar lehtësisht 102-90, pa vënë asnjëherë në diskutim fitoren. Toni Parker me 27 pikë udhëhoqi skuadrën e San Antonios që tashmë kryeson 3-0 serinë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Indiana (3)-Orlando (1) 101-99
Memfis (1)-LA Klipërs (2) 86-87
Oklahoma (4)-Dallas (0) 103-97
San Antonio (3)-Utah (0) 102-90
Sonte
Çikago (1)-Filadelfia (2)
Majemi (3)-Nju Jork (0)
Atlanta (1)-Boston (2)
LA Leikërs (2)-Denver (1)
Sunday, 06 May 2012 08:03