Nju Jork ka përfituar nga problemet e brendshme të Orlandos për të fituar në fushën e kësaj të fundit me rezultatin 96-80, duke u shkaktuar vednasve humbjen e 5-të radhazi. Strategjia e Nju Jork ishte e qartë, shumë gjuajtje për 3 pikë dhe kufizim i lojës së Duajt Hauard. Ekipi i Karmelo Entoni u tregua rezultativ në të dy këto lëvizje taktike, pasi arriti të shënonte 13 gjuajtje nga pas harkut, ndërsa Duajt Hauard regjistroi vetëm 8 pikë dhe 8 topa në tabelë në këtë sfidë. Por ylli i Orlandos tashmë ka edhe probleme serioze me tifozerinë e tij, pasi dje u bë publike se ai kërkonte nga drejtuesit e skuadrës të shkarkonin trajnerin popullor Sten Van Gandi, që e mori këtë skuadër në krizë pesë vite më parë dhe arriti ta çonte deri në finalet e NBA.
Çikago u është kthyer fitoreve falë një suksesi të rëndësishëm 93-86 përballë Boston. Ashtu si në ndeshjet e kaluara, Derrik Rouz ka munguar përsëri për shkak të dëmtimit të tij, ndërsa forcën ofensive të skuadrës e ka marrë përsipër Luol Deng, i cili shënoi 26 pikë në këtë sfidë. Me këtë sukses, Çikago ruan vendin e parë në Konferencën e Lindjes me rekordin më të mirë në NBA, ndërsa Boston vazhdon të jetë në vendin e 4-t në këtë Konferencë, pozicionim mëse i rëndësishëm duke parë se në këtë mënyrë eviton në raundin e parë të play-off një përballje të mundshme pikërisht me Çikagon apo Majemin. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Nju Jork-Orlando 96-80
Uashington-Detroit 94-99
Boston-Çikago 86-93
LA Klipërs-Sakramento 93-85
Friday, 06 April 2012 08:24