Kevin Durant, pikëshënuesi më i mirë i dy sezoneve të fundit në NBA, ka udhëhequr Oklahoman drejt një suksesi të rëndësishëm 105-102 ndaj Orlandos në fushën e këtyre të fundit. Paraqitja e tij në pjesën e dytë i ka mundësuar Oklahomas të rikuperojë 14 pikë disavantazh, ndërsa ai e ka mbyllur takimin me 38 pikë e 8 topa në tabelë për t’i siguruar fitoren e 7-të radhazi skuadrës së tij. Duajt Hauard udhëhoqi Orlandon me 33 pikë e 9 topa në tabelë, por ishte i pafuqishëm në sekondat e fundit të takimit përballë Oklahoma që i mori fitoren nga duart.
Shumëkush mendon se finalja e këtij sezoni në NBA do të jetë pikërisht mes Oklahomas që kryeson Konferencën e Perëndimit, me Majemi që kryeson Konferencën e Lindjes. Skuadra e Foridas ka bërë maksimumin për të përforcuar këtë bindje duke mundur Portland me rezultatin 107-93. LeBron Xhejms ishte i pandalshëm në këtë sfidë, duke dhuruar një prej paraqitjeve të tija më të mira sezonale me 38 pikë, 11 topa në tabelë e 6 pasime. Ai bëri një duet të shkëlqyer zhytjesh e pasimesh spektakolare me Duejn Ueid, i cili shtoi 33 pikë e 10 pasime për kryesuesit e Konferencës së Lindjes që çuan në 9 numrin e fitoreve radhazi dhe kanë regjistruar fillimin më të mirë në historinë e klubit në 35 ndeshjet e para me 28 fitore e 7 humbje. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Oklahoma-Orlando 105-102
Minesota-Feniks 95-104
LA Klipërs-Sakramento 108-100
Majemi-Portland 107-93
Friday, 02 March 2012 09:05