LeBron Xhejms i ka mbyllur gojën shumë kritikëve që e sulmuan pas një jave shumë të dobët, duke shënuar 41 pikë në fitoren 99-93 të Majemit ndaj Filadelfias. Ylli i skuadrës së Floridas ka qenë i papërmbajtshëm në fazën ofensive, ndërsa ka mbuluar edhe mungesën e Duejn Uejd, i lënë pushim për shkak të një dëmtimi në gju. Majemi ka një ndeshje vendimtare sonte në darkë, ku përballet me Oklahoma, takim nga i cili mund të vendoset faktori fushë në një përballje të mundshme në finalet e NBA mes dy skuadrave që synojnë titullin kampion. Sfida e parë sezonale mes dy ekipeve përfundoi me fitoren e thellë 103-87 për Oklahoman.
Në Konferencën e Perëndimit vazhdon marshimi i San Antonio, që ka mundur lehtësisht 125-90 Kliveland në fushën e këtyre të fundit. Sistemi i trajnerit Greg Popoviç punon në perfeksion, aq sa në këtë sfidë kanë shënuar 12 lojtarë nga 13 të aktivizuar, ndërsa asnjë prej titullarëve nuk e kishte të nevojshme të luante më shumë se 26 minuta. Kjo ishte fitorja e 8-të radhazi për San Antonion, që mban vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit dhe që tani ka një axhendë mjaft të ngjeshur me 15 ndeshje në 22 ditët e ardhshme. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
San Antonio-Kliveland 125-90
Sharlot-Toronto 87-92
Nju Jork-Indiana 104-112
Orlando-Detroit 95-102
Filadelfia-Majemi 93-99
G. Steit-Memfis 94-98
Feniks-Sakramento 109-100
Nju Xhersi-LA Leikërs 87-91
Wednesday, 04 April 2012 08:03