Indiana duket se mund të jetë surpriza e këtij sezoni në NBA pasi ka treguar se di si të ndale ekipin favorit të Majemit. Ekipi i Floridës është mundur për të dytën ndeshje radhazi, këtë herë në fushën kundërshtare, ndërsa ka rezistuar deri në gjysmën e takimit, duke u dorëzuar me rezultatin përfundimtar 94-75. LeBron Xhejms ka shënuar 22 pikë, ndërsa “ndihmësi” i tij ka qenë Mario Çalmers me 25 pikë, por në ndeshje ka munguar krejtësisht Duejn Uejd, i cili ka shënuar vetëm 5 pikë në më shumë se 35 minuta ku është aktivizuar.
Indiana ka triumfuar falë një mbrojtje të jashtëzakonshme të Roi Hibert i cili ka shënuar 19 pikë, 18 topa në tabelë dhe 5 bllokime, duke iu kundërvënë thuajse i vetëm çdo tentative për përmbysje të Majemit. Tashmë Indiana kryeson serinë 2-1 dhe tani ka në favorin e saj përveç faktorit fushë, edhe avantazhin psikologjik, pasi është e ndërgjegjshme që mund të kalojë Majemin dhe të arrijë në finalet e Konferencës së Lindjes.
Në gjysmëfinalet e Konferencës së Perëndimit, San Antonio vazhdon të dominojë qetësisht nda LA Klipërs ku dyshja Grifin-Pol nuk ka gjetur mënyrën si të çajë mbrojtjen e skuadrës së Greg Popoviç. Tim Dankan ishte përsëri protagonist me 18 pikë, ndërsa 22 pikë, 5 topa në tabelë e 5 pasime u shtuan nga Toni Parker, i cili festoi në mënyrën më të mirë të mundshme 30 vjetorin e tij. Fitorja 105-88 ishte e 16-ta radhazi e San Antonio që këtë vit duket pretendenti më serioz për të fituar titullin në NBA. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Majemi (1)-Indiana (2) 75-94
LA Klipërs (0)-San Antonio (2) 88-105
Sonte
Boston (2)-Filadelfia (1)
Oklahoma (2)-LA Leikërs (0)
Friday, 18 May 2012 11:40