Majemi ka siguruar pjesëmarrjen në finalen e Konferencës së Lindjes pasi ka mundur 105-93 skuadrën e Indiana dhe ka mbyllur serinë në 4-2. Vetëm një javë më parë, ekipi i Floridas ishte në disavantazh 1-2 dhe vinte pas një ndeshje të humbur me 19 pikë diferencë. Por në tre ndeshje radhazi, dy yjet e kësaj skuadre kanë shkëlqyer. Në këto tre sfida, Duejn Uejd ka shënuar 99 pikë, 22 topa në tabelë dhe 11 pasime, ndërsa LeBron Xhejms ka shënuar 98 pikë, 34 topa në tabelë dhe 24 pasime.
Në përballjen e fundit, Uejd ishte heroi i ndeshjes me 41 pikë e 10 topa në tabelë, duke realizuar 17 nga 25 gjuajtjet e tentuara. Xhejms shtoi 28 pikë, 6 topa në tabelë dhe 7 pasime, duke bërë që Indiana të mos dinte kë të mbronte më parë mes tyre. Ndonëse ekipi vendas kishte të 5 titullarët që kaluan kuotën e 10 pikëve, asnjë prej tyre nuk arriti të shfaqej në lartësinë e dyshes së Majemit në momentet vendimtare të periodës së tretë, kur skuadra e Floridas arriti të shkëputej dhe të krijonte diferencën që i siguroi fitoren e ndeshjes.
Tani Majemi ka dy ditë pushim më shumë në dispozicion, pasi pret të mësojë emrin e kundërshtarit në finalen e Lindjes, që do të dalë nga sfida e të shtunës mes Boston dhe Filadelfia. (LajmeShqip.com)
Friday, 25 May 2012 08:02