Karmelo Entoni shënoi 42 pikë, 9 topa në tabelë e 5 pasime, por kjo nuk ishte e mjaftueshme që Nju Jork të mundte Majemin. Ekipi i Floridas fitoi me rezultatin 93-85 falë kontributit të tre lojtarëve të saj kryesorë: Xhejms (29 pikë, 10 topa në tabelë), Uejd (28 pikë, 9 topa në tabelë) dhe Bosh (16 pikë, 14 topa në tabelë). Me këtë sukses, Majemi ka treguar forcën përballë atij që mund të jetë kundërshtari i mundshëm në raundin e parë të play-off që fillon pas dy javësh dhe që aktualisht kishte fituar 9 ndeshje radhazi në fushën e tij.
Por ata nuk kanë mundur t’i afrohen Çikagos që kryeson Konferencën e Lindjes pasi këta të fundit kanë fituar në kohën shtesë përballë Detroit falë Derrik Rouz që shënoi koshin për tre pikë që çoi ndeshjen në barazim dhe që udhëhoqi ekipin me 24 pikë e 9 pasime.
Një ndeshje e rëndësishme për renditjen e Konferencës së Perëndimit ka qenë suksesi 112-108 i LA Leikërs ndaj Dallas pas kohës shtesë. Me Brajant që mungon përsëri për shkak dëmtimi, LA Leikërs janë kthyer në një skuadër ku kontribuojnë të gjithë dhe këtë e kanë shfaqur edhe ndaj kampionëve në fuqi. Bainëm (23 pikë, 16 topa në tabelë) dhe Gasol (20 pikë, 10 topa në tabelë) ishin forca kryesore e sulmit të skuadrës, ndërsa më shumë se 10 pikë shënuan edhe Seshëns, Pis dhe Barns. Kjo fitore u mundëson kalifornianëve të ruajnë vendin e tretë nga “sulmi” i skuadrës së LA Klipërs. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Majemi-Nju Jork 93-85
Dallas-LA Leikërs 108-112
Boston-Sharlot 94-82
Toronto-Atlanta 102-86
Portland-Sakramento 103-104
Orlando-Kliveland 100-84
Çikago-Detroit 100-94
Memfis-Nju Orlins 75-88
Hjuston-Denver 86-101
Monday, 16 April 2012 08:03