Majemi ka hedhur një tjetër hap të sigurt drejt kalimit në raundin tjetër të play-off duke mundur Nju Jork me rezultatin 104-94, për të çuar në 2-0 në favor të tyre bilancin e kësaj sfide. Nju Jork u paraqit shumë më mirë se në ndeshjen e parë, ndërsa Karmelo Entoni ishte autor i 30 pikëve dhe 9 topave në tabelë. Por Majemi la gjithçka në dorën e treshes Duejn Uejd (25 pikë), LeBron Xhejms (19 pikë, 7 topa në tabelë, 9 pasime) dhe Kris Bosh (21 pikë), të cilët gjenin gjithmonë një gjuajtje të saktë për të shmangur tentativat e Nju Jork për të barazuar rezultatin. Sikur të mos mungonte kjo, nga nervozizmi pas humbjes, Amari Studemair, ka goditur me grusht një fikëse zjarri dhe duket se ka dëmtuar rëndë dorën e majtë, ndaj do të mungojë të paktën në ndeshjen e tretë që luhet pas tre netësh në Nju Jork.
Kampionët në fuqi të Dallas kanë humbur ndeshjen e dytë radhazi kundër Oklahomas në sekondat e fundit. Në një duel mjaft entuziazmues të përfunduar 102-99, ku dy skuadrat kanë luftuar për çdo pikë, nuk kanë mjaftuar 31 pikët e Dirk Novickit që teksanët të largoheshin me një sukses nga fusha e kundërshtarëve, ndonëse kryesonin një minutë para përfundimit të ndeshjes. Rasëll Uestbruk (29 pikë) dhe Kevin Durant (26 pikë, 10 topa në tabelë) ishin protagonistë në fazën ofensive të skuadrës së tyre, ndërsa bënë të mundur që ekipi të kalojë me sukses dy ndeshjet e para të këtij dueli që duket se do të vendoset në çdo ndeshje vetëm në fundin e periodës së katërt.
Ndërkohë, Indiana ka arritur të lërë pas gabimin e ndeshjes së parë kundër Orlando duke barazuar në 1-1 serinë mes dy ekipeve falë fitores 93-78. Në fakt, në pjesën e parë të ndeshjes ishte ekipi mik që po dominonte, por pas pushimit, vendasit janë kthyer më agresivë dhe kanë gjetur ritmin e tyre, duke dominuar sidomos në lojën nën tabelë. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Nju Jork (0)-Majemi (2) 94-104
Orlando (1)-Indiana (1) 78-93
Dallas (0)-Oklahoma (2) 99-102
Sonte
Boston (0)-Atlanta (1)
Filadelfia (0)-Çikago (1)
Denver (0)-LA Leikërs (1)
Tuesday, 01 May 2012 12:48