Kthimi i Kris Bosh në formacion ka bërë që Majemi të gjejë përsëri lojën e shpejtë dhe rezultative të një jave më parë, para se të vinin dy humbjet radhazi. Skuadra e Floridës ka fituar me shumë lehtësi 108-78 përballë Nju Xhersi, në një takim ku diferenca e pikëve mes dy skuadrave shkoi deri në 40. Lojtari më i mirë i ndeshjes ishte LeBron Xhejms me 21 pikë, 9 topa në tabelë e 6 pasime, duke mos qëndruar në parket as 30 minuta, ndërsa shënoi një trepikësh nga gjysma e fushës në fundin e periodës së tretë.
Ndërkohë, skuadra që mundi Majemin të dielën në darkë, LA Leikërs, vazhdon të transformohet kur luan jashtë fushës së saj. Kalifornianët u mundën 88-85 nga Detroit në kohën shtesë, duke bërë të pavlefshme gjuajtjen “e zakonshme” të Brajant në sekondën e fundit që i dha edhe një shans tjetër skuadrës së tij. Për Detroit, shënuesi më i mirë ishte Rodni Staki me 34 pikë, ndërsa te LA Leikërs, lojtari më dominues ishte Endriu Bainëm me 30 pikë e 14 topa në tabelë. Brajant shfaqi vështirësi gjatë gjithë ndeshjes duke shënuar vetëm 8 nga 26 gjuajtjet nga fusha për 22 pikë në total. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Orlando-Sharlot 84-100
Atlanta-Indiana 101-96
Nju Xhersi-Majemi 78-108
LA Leikërs-Detroit 85-88
Hjuston-Boston 92-97
Nju Jork-Dallas 85-95
Wednesday, 07 March 2012 08:54