Majemi ka lënë pas problemet e javëve të fundit dhe ka arritur të marrë suksesin e dytë radhazi falë paraqitjes së tre yjeve të saj, duke mundur Toronto me rezultatin 113-101. Uejd (30 pikë, 6 topa në tabelë, 6 pasime), Bosh (30 pikë, 8 topa në tabelë) dhe Xhejms (26 pikë, 9 pasime, 4 topa në tabelë) kanë treguar pas ndeshjes se tashmë kanë mendjen vetëm si të arrijnë sa më parë Çikagon, skuadrën që kryeson renditjen e Konferencës së Lindjes dhe të gjithë NBA, në ndeshjet e mbetura të sezonit.
Ndërkohë, lufta për vendin e fundit në play-off për Konferencën e Lindjes është rihapur pas humbjes së Nju Jork në fushën e Atlanta. Xho Xhonson (28 pikë, 6 topa në tabelë) dhe Xhosh Smith (23 pikë, 6 topa në tabelë), kanë bërë të pavlefshme paraqitjen spektakolare të Karmelo Entoni i cili shënoi 36 pikë e 9 topa në tabelë. Nju Jork tani ka vetëm një ndeshje avantazh ndaj Miluokit, që falë superioritetit në ndeshjet direkte të këtij sezonit, triumfon në këtë sfidë nëse dy skuadrat ndahen me një rekord të njëjtë fitore-humbje në përfundim të fazës së rregullt.
Në Konferencën e Perëndimit, Dirk Novicki ka nxjerrë nga telashet Dallas falë një gjuajtje të realizuar 6 sekonda para fundit për t’i dhënë ekipit të tij suksesin 100-98 ndaj Orlandos dhe për të ndalur rënien e mëtejshme të kësaj skuadre. Kampionët në fuqi janë mes 7 ekipeve që luftojnë për 4 vendet e fundit të vlefshme për playoff. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
Majemi-Toronto 113-101
Filadelfia-Uashington 76-97
Denver-Sharlot 99-88
Nju Jork-Atlanta 90-100
Miluoki-Kliveland 121-84
Memfis-Hjuston 89-98
Boston-Minesota 100-79
Dallas-Orlando 100-98
Detroit-Çikago 71-83
Sakramento-Utah 104-103
Portland-LA Klipërs 97-98
Nju Xhersi-G. Steit 102-100
Saturday, 31 March 2012 08:06